fbpx

Gjithmonë duhet të dërgoni një email falënderues jo më vonë se 24 orë pas intervistës. Nëse keni pasur shumë intervista, dërgoni një email falënderues të personalizuar secilit intervistues. 
Falenderoni ata për mundësinë, cekni interesin tuaj sërish dhe mos harroni t’i referoheni asaj që diskutuat gjatë intervistës. Kjo ju mban të freskët në mendjen e intervistuesit si dhe tregon se jeni me të vërtetë të interesuar për pozitën në fjalë.


“Pse të lodhem të shkruaj email falenderues?”

Tre arsye:

Sipas një hulumtimi të fundit, 1 në 5 rekrutues dhe menaxherë të punësimit mënjanojnë automatikisht kandidatët të cilët nuk kanë dërguar email falënderues pas intervistës.

Për më tepër, ky sondazh zbuloi se 80% e menaxherëve të burimeve njerëzore i marrin nën konsiderim emailet falënderuese për të arritur vendimin përfundimtar të punësimit.

Një raport tjetër nga Careerbuilder tregon se 57% e punëkërkuesve nuk dërgojnë emails falënderuese pas intervistës.

Pra, dërgimi i një emaili falënderues pas një interviste ju vendos përpara gjysmës së konkurrencës. Por, një email i shkëlqyer dhe i personalizuar falënderues? Me këtë ju do të jeni në vendet e para në mendje të punëdhënësve.

Si të shkruajmë një email të përsosur falënderues në 7 hapa

1. Shkruani një subjekt të qartë

Dilni direkt në temë. Menaxherët e punësimit zakonisht janë mjaft të nxënë dhe duke qenë të drejtpërdrejtë ju e kurseni kohën e tyre dhe e siguroni hapjen e emailit tuaj.

Shembuj të subjektit për një email falënderimi:

Faleminderit, [Emri i Intervistuesit]!

Faleminderit për intervistën e djeshme

Më pëlqeu të mësoja më shumë për [Emri i Kompanisë]

Faleminderit!


2. Hapeni emailin me një përshëndetje personale

Drejtojuni drejtpërdrejt menaxherit të punësimit, me emër.

Nëse keni qenë të intervistuar nga më shumë se një person, dërgoni emails të personalizuar falënderues secilit.


3. Shprehni vlerësimin tuaj

Meqenëse është një e-mail falënderimi filloni me një “faleminderit”

Shprehni mirënjohje ose vlerësim të sinqertë.

Tregoni se jeni mirënjohës/e për kohën që intervistuesit kaluan me ju duke përshkruar detajet e pozitës suaj.


4. Ritheksoni se jeni të interesuar

Gjatë intervistës, punëdhënësi juaj i ardhshëm dëshiron të sigurohet që jeni i përshtatshëm për kompaninë por edhe se ju jeni vërtet të interesuar për t’u bërë pjesë e kompanisë. Sigurohuni që ta theksoni këtë në emailin tuaj falënderues.

Pro Tip: Në rast se gjatë intervistës e keni kuptuar se pozita në fjalë nuk është e duhura për ju, qartësojeni këtë fakt në emailin tuaj falënderues. Menaxheri i punësimit do të vlerësojë sinqeritetin tuaj, plus, ju do t’ua kurseni kohën.


5. Referojuni diçkaje specifike të diskutuar gjatë intervistës

Identifikoni atë që ishte veçanërisht interesante për ju në lidhje me pozitën dhe shpjegoni pse. Në këtë mënyrë, ju do ta bëni emailin tuaj pas një interviste më të personalizuar.

Poashtu, referojuni aftësive dhe përvojës suaj dhe tregoni se si do t’i përdornit ato për të ndihmuar punëdhënësin tuaj të ardhshëm të marrë atë që dëshiron.


6. Demonstroni gadishmëri për informacion shtesë

Pro Tip: kujtojuni atyre për afatin e caktuar të përgjigjes

Shembull i një paragrafi të mirë përmbyllës:

“Nëse keni nevojë për ndonjë informacion shtesë që mund t’iu ndihmojë në procesin e vendimmarrjes, mos ngurroni të më kontaktoni. Mezi pres intervistën tonë të dytë javën e ardhshme.”


7. Përmbylleni emailin në mënyrë profesionale

Falënderojini sërish për kohën e tyre, vendosni numrin e telefonit dhe adresën e emailit, si dhe (opsionalisht) LinkedIn, Twitter ose webfaqen tuaj.

Shembull i një emaili falenderues:

Subject: Faleminderit Ema!

Përshëndetje Ema,

Faleminderit shumë që gjete kohën për t’u takuar me mua dhe për të folur për pozitën e Graphic Design Assistant dje. Ishte kënaqësi të mësoja më shumë rreth qasjes suaj ndaj rritjes së brand awareness përmes dizajnit të postimeve të rrjeteve sociale.

Biseda jonë më bëri edhe më të entuziazmuar për t’u bashkuar me Jungle. Veçanërisht më la përshtypje ishte se sa fort përqendrohen përpjekjet tuaja në UX, jo vetëm në UI.

Po mendoja për atë që thatë në lidhje me planet tuaja për të rritur engagement duke ofruar dizajn më modern dhe UX më intuitiv të përmbajtjes që lidhet me blogjet e webfaqes në tremujorin e ardhshëm. Në pozitën time aktuale si Graphic Designer te XYZ zbulova se ndjekja e trendeve (si në aspektin e dizajnit ashtu edhe të kontentit) dhe përdorimi i numrave dhe simboleve rritën shkallën e klikimeve në linqe për 12%.

Besoj se përvoja ime mund të përkthehet në sukses të ngjashëm edhe për Jungle.

Nëse keni nevojë për ndonjë informacion shtesë, ju lutem mos ngurroni të më kontaktoni.

Me respekt,

[Emri] [Mbiemri]

[Numri i telefonit]


Scroll to top