fbpx

Nëse ende nuk keni hapur një profil në LinkedIn, nxitoni dhe hapeni. Nuk është më çështje nevoje apo preference. Posedimi i një profili në LinkedIn në kulturën e sotme të rekrutimit është domosdoshmëri.

Një hulumtim i fundit zbuloi se 90% e rekrutuesve përdorin LinkedIn-in për të kërkuar kandidatë të mundshëm. Për më tepër, një raport tjetër tregon se pothuajse 40% e të gjithë punëdhënësve mund të mos ju intervistojnë nëse nuk mund t’ju gjejnë online. 

LinkedIn-i është vendi i parë ku do të fillojnë të kërkojnë.

Kështuqë, shkoni në faqen për krijim të një profili të ri në LinkedIn dhe ndjekni hapat e kërkuar.

Pro Tip: Pasi të krijoni profilin tuaj, krijoni një LinkedIn custom URL të profilit tuaj. Kjo do t’iu ndihmojë të dukeni më profesional kur e inkuadroni këtë link në CV-në tuaj. Pse? Sepse “linkedin.com/in/john-smith/” lexohet më qartë se “linkedin.com/in/HGygbg752ngugwg974” si dhe shkruhet në browser më lehtë nëse rekrutuesi ka nevojë ta rishikojë profilin tuaj.

Si krijohet një custom URL në LinkedIn?

  1. Shkoni te profili juaj,

  2. Në anën e djathtë të faqes klikoni “Edit public profile and URL”,

  3. Klikoni ikonën e lapsit për të edituar linkun e profilit tuaj

Në rregull, mbaruam me pjesët bazike.

Tani mund të fillojmë me zbatimin e disa metodave më të avancuara të optimizimit të LinkedIn-it tuaj.

Hapi 1: Kuptoni se si e përdorin rekrutuesit LinkedIn-in për të gjetur kandidatë

LinkedIn është një faqe profesionale për networking. Për shumicën e individëve, nga ana e funksionalitetit, qëndron midis një rrjeti social dhe një faqe pune. Ne e përdorim atë për të qëndruar në kontakt me lidhjet tona profesionale dhe për të kërkuar mundësi të reja karriere.

Por për rekrutuesit, LinkedIn është një search engine më shumë se çdo gjë tjetër. E përdorin atë për të kërkuar kandidatë në mënyrë shumë të ngjashme me përdorimin e Google.

Ata kërkojnë kandidatë bazuar në:

  • Titujt e punës
  • Aftësitë
  • Industritë
  • Fjalët kyçe

Disa raportime kanë treguar se ndërveprimet midis rekrutuesve dhe anëtarëve të LinkedIn-it  janë rritur për 40% gjatë dy viteve të fundit. 

Një hulumtim tjetër ka zbuluar se kandidatët që gjenden nga rekrutuesit (jo përmes aplikimeve të rregullta për punë) janë më shumë se dy herë më efikas për t’u punësuar.

Plus, vitin e kaluar, më shumë se 31% e të gjitha punësimeve janë kryer në mënyrë proaktive.

Kjo do të thotë që shumë rekrutues favorizojnë punësimin përmes LinkedIn-it më shumë se kanaleve të tjera. Kështuqë, nxitoni dhe gjeni punë perfekte për ju!

Por, si?

Duke krijuar një profil të cilin rekrutuesit duan ta shohin.

Hapi 2: Përzgjedhja e duhur e fotos së prapavijës dhe të profilit

Është pjesë e natyrës së çdo njeriu të krijojë përshtypje në pamje të parë. Imazhet profesionale dhe tërheqëse vizualisht e garantojnë një përshtypje të parë të mirë (e cila iu bie një hap më afër intevistës).

Si të zgjidhni foton e duhur të prapavijës të LinkedIn?

  1. Përdorni dimensionet e duhura

Dimensionet zyrtare janë 1584 x 396 pixels, por një pjesë e madhe e kësaj hapësire do të pritet në ekrane më të vogla (telefonat celularë ose tabletët), plus pjesa e poshtme do të fshihet pas fotografisë suaj të profilit.

Dimensionet prej rreth 1000 x 140p do të jenë një zgjedhje më e sigurtë.

  2. Mos përdorni imazhe stock

Kur bëhet fjalë për fotografitë, të gjithë mund ta vërejnë një foto stock sapo ta shohin. Bëhuni më kreativ dhe personal.

Ja disa ide më të mira:

  • Zyra juaj
  • Produkti(et) tuaj
  • Një dizajn me identitetin vizual të kompanisë suaj
  • Një poster me kredencialet dhe arritjet tuaja
  • Një baner me një CTA (për shembull, detajet tuaja të kontaktit dhe një ftesë për t’ju kontaktuar)

  3. Dizajnoni vetë foton e prapavijës

Edhe nëse nuk jeni profesionist i dizajnit grafik, mund të gjeni shabllone falas në internet për t’ju ndihmuar të krijoni një prapavijë të bukur të LinkedIn-it.

Ne ju rekomandojmë të përdorni Canva-n. Është platformë falas, me qindra mijëra shabllone të të gjitha stileve, dhe është tejet e lehtë për tu përdorur. 

Nuk ju nevojiten më shumë se 2 minuta për të krijuar një prapavijë të thjeshtë, profesionale, dhe të bukur.

Koha për foton e profilit

Së pari, mos përdorni foton tuaj të letërnjoftimit.

Kjo e bën gjithë profilin tuaj të duket i ngathët, joprofesional dhe juve si një person i zhdukur.

Fotoja e profilit në LinkedIn duhet t’ju bëjë të dukeni profesional dhe elegant.

Nuk keni një foto të tillë? Me kamerat moderne të telefonave smart, nuk keni nevojë për një studio profesionale për të bërë një foto të këndshme. 

Është shumë e thjeshtë:

  • Gjeni një cep me shumë dritë
  • Zgjidhni një prapavijë të thjeshtë dhe neutrale (mjafton një mur i bardhë)
  • Vishuni ashtu siç do të visheshit në punë
  • Përpiquni që sytë tuaj të jenë në të tretën e sipërme të fotos
  • Bëni shumë foto, provoni kënde dhe mimika të ndryshme

Pro Tip: Mos anashkaloni foton e profilit tuaj në LinkedIn. Një studim i fundit zbuloi se profilet që përfshijnë një foto të profilit marrin 14 herë më shumë shikime nga rekrutuesit.

Hapi 3: Shkrimi i Headline-it

Pas emrit tuaj, vie një element kritik i profilit tuaj: headline-i. Shumica e user-ëve në LinkedIn kanë  headlines të mangët (vetëm titulli i tyre profesional dhe aq).

Limiti i karaktereve të lejuara në një LinkedIn headline është 220 (përfshirë hapësirat) për një arsye. Headlines më të mirë në LinkedIn e përdorin mirë atë hapësirë.

Pro Tip: Headline-in shkruajeni në gjuhë angleze. Shumica e emrave të pozitave të punës nuk kanë përkthim adekuat në shqip, prandaj thuajse të gjithë rekruterët gjatë kërkimit përdorin fjalë kyçe dhe tituj në anglisht.

Shembuj të headlines të mirë të LinkedIn-it:

  • Digital Marketing Manager | SEO | Google Analytics | Conversion Rate Optimization | Maximizing Profits
  • Customer Service Representative — Successful in increasing customer retention — Salesforce — Zendesk — Talkdesk
  • Digital Marketer in Professional Services | Content Marketing, Lead Generation & SEM | Google Ads certified | 8.5m organic social impressions for Kolton in 2019

Jeni ende student? Ja një shembull i një headline-i të fuqishëm:

  • University of Prishtina Law Student; Interested in Immigration and Personal Injury Law; Dean’s List 2020; UP Law Blog Editor

Hapi 4: Shkrimi i një përmbledhjeje tërheqëse

Plotësimi i pjesës përmbledhëse është shumë i rëndësishëm. Përmbledhja duhet të tregojë se kush jeni, çka ofroni dhe çka ju bën të veçantë.

Nëse headline-i e bën rekrutuesin të klikojë në profilin tuaj, përmbledhja është elementi përmes të cilit ju vendosni se a do ta shikojë profilin tuaj deri në fund apo jo.

Ashtu si një përmbledhje e CV-së, qëllimi i saj është të tregojë aftësitë tuaja më të rëndësishme dhe arritjet më të mëdha. Por, ekzistojnë disa dallime kyçe mes tyre:

  • Përmbledhja juaj e LinkedIn mund të jetë shumë më e gjatë se përmbledhja e CV-së (deri në 2000 karaktere).
  • Ndryshe nga përmbledhja e CV-së, në përmbledhjen e LinkedIn-it mund të tregoheni më personal. Tregoni një histori të jetës suaj dhe shpjegoni se si ato ngjarje kanë ndikuar karrierën tuaj.
  • Mund të shtoni informacionet e kontaktit, duke e bërë më të lehtë për rekrutuesit që t’ju kontaktojnë.

Sa më unike dhe personale të jetë përmbledhja juaj në LinkedIn, aq më mirë. Nuk ka asnjë shabllon universal përmbledhës për LinkedIn. Është diçka që duhet ta krijoni 100% vetë.

Por, nëse nuk jeni të prirur për ide se si të shkruani një përmbledhje tërheqëse dhe profesionale, atëherë këtu mund ta gjeni një listë të disa përmbledhjeve më të mira të përzgjedhura nga vetë ekspertët e LinkedIn.

Hapi 5: Marrja e miratimeve të aftësive tuaja

LinkedIn-i ju lejon të shtoni deri në 50 aftësi në seksionin e aftësive.

Edhe pse mund ta maksimizoni këtë seksion, vetëm 10 aftësitë kryesore do të shfaqen në pjesën e sipërme të këtij seksioni. Kështuqë, sigurohuni se këto 10 aftësi janë aftësitë tuaja kryesore dhe që përmbajnë fjalë kyçe për të cilat ju dëshironi të iu gjejnë.

Por, çdokush mund të listojë ndonjë grup aftësish që mendon se i ka. 

Këtu hyjnë në lojë miratimet e LinkedIn (ang. endorsements). Ato janë një metodë e verifikimit të aftësive tuaja dhe e vetmja mënyrë për t’i marrë ato është nga njerëz të tjerë të rrjetit juaj.

Kur filloni të ndërtoni rrjetin tuaj, kërkoni nga njerëzit me të cilët keni punuar, miqtë tuaj, apo profesorët tuaj të vjetër të miratojnë aftësitë tuaja pasiqë i keni miratuar ju të atyre.

LinkedIn është një faqe shumë reciproke. Nëse dëshironi miratime dhe rekomandime – filloni duke i dhënë ato.

Hapi 6: Mbushja strategjike e seksionit të përvojës

Përfshini të gjitha punët që keni pasur. Edhe ato më të hershmet apo të rëndomtat. Rekrutuesit duan të shohin vazhdimësi në historinë tuaj të punës.

Disa këshilla për ta bërë më mbresëlënës dhe kuptimplotë këtë seksion:

  • Nën çdo punë, shkruani afërsisht gjashtë pika që përshkruajnë shtrirjen e përgjegjësive tuaja në atë punë
  • Mos shkruani vetëm për detyrat tuaja. Tregoni edhe për arritjet tuaja.

Shembuj të përshkrimit të përvojës në LinkedIn

  • Initiated a targeted email marketing campaign that resulted in a 15% upswing in newsletter registration.
  • I spearheaded a Corporate Social Responsibility initiative that boosted employee involvement by 40% in 2017.

Pro Tip: LinkedIn-i do t’ju sugjerojë automatikisht tituj të ndryshëm bazuar në atë që shkruani. Zgjedhja e një aftësie të sugjeruar është më mirë sesa shtimi i një aftësie me fjalë tuaja. Aftësitë e sugjeruara janë të bazuara në ato aftësi që rekrutuesit kërkojnë në LinkedIn.

Mos i anashkaloni aftësitë e buta (ang. soft skills). Nëse aftësitë e forta i bindin rekrutuesit të iu punësojnë, aftësitë e buta do të jenë arsyeja pse ngriteni në detyrë. Disa nga aftësita e buta më të mira për tu përfshirë në LinkedIn janë:

  • Leadership
  • Communication
  • Collaboration
  • Time Management

Hapi 7: Përfshini rekomandime nga rrjeti juaj

Rekomandimet e LinkedIn-it janë një mjet i vlefshëm i cili i jep kredibilitet çdo profili. Gjatë procesit të optimizimit të profilit tuaj, kontaktoni të gjithë personat të cilët mendoni se do të ishin të gatshëm të thonin një fjalë të mirë për ju dhe kërkojuni të shkruajnë një rekomandim personal të cilin mund ta inkuadroni në profilin tuaj. Zgjidhni një shumëllojshmëri kolegësh, partnerësh dhe menaxherësh të lartë.

Ju do të keni mundësinë të editoni rekomandimin e tyre përpara se ta postoni, dhe është gjithashtu ide e mirë t’i njoftoni ata për gjërat që dëshironi ti thonë. Nuk është e pazakontë që kandidatët t’i shkruajnë vetë rekomandimet dhe vetëm të kërkojnë që lidhjet e tyre ti postojnë nga llogaritë e tyre. Kjo është një zgjidhje efikase për rastet kur ata s’kanë kohë.

Ky është një aspekt tjetër i LinkedIn që mund të jetë reciprok – lidhjet tuaja do t’ju japin rekomandimin e tyre nëse bëni të njëjtën gjë për ta.

Pro Tip: Kërkoni rekomandime vetëm nga ata persona me të cilët keni punuar në të kaluarën. Rekomandimet e rëndomta nga të huajt do të duken të dyshimta.

Si shtohet një rekomandim në profilin tim?

  1. Shkoni tek profili juaj dhe klikoni butonin “Add profile section”

  2. Në menynë “Recommended” klikoni opsionin “Add recommendations”

  3. Shkruani emrin e personit prej të cilit dëshironi të merrni një rekomandim dhe klikoni “Continue”

  4. Plotësoni fushat e kërkuara dhe klikoni “Send”

Kërkesa juaj për rekomandim dërgohet në mesazhet e personit të cilin e keni zgjedhur dhe pasi ta ketë shkruar, LinkedIn-i do t’ju njoftojë me një mesazh. Ju mund ta pranoni, refuzoni ose të kërkoni rishikim të rekomandimit. 

Pasi të keni pranuar një rekomandim nga lidhja juaj, ai do të jetë i dukshëm për rrjetin tuaj. Nëse ndërroni mendje, ju mund ta fshihni atë rekomandim nga profili juaj.

Përmbledhje e pikave kryesore

  • Mbusheni profilin tuaj me plot fjalë kyçe të industrisë: përshini ato në titullin, përmbledhjen, listën e aftësive dhe përshkrimet e punëve të mëparshme.
  • Sigurohuni se fotoja e profilit duket profesionale dhe shtoni një imazh unik dhe tërheqës në prapavijë.
  • Shkruani një përmbledhje që tregon arritjet tuaja më të mëdha dhe zbulon personalitetin tuaj të veçantë.
  • Ndërtoni një rrjet me persona që njihni ose që i admironi në industrinë tuaj dhe kërkoni miratime dhe rekomandime nga ata.

Nëse mendoni se informacionet të cilat i lexuat janë të dobishme sihurohuni të na përcillni në rrjetet tona sociale në mënyrë që të shihni blogjet tona të ardhshme.

Scroll to top