Në një botë pune që po ndryshon çdo ditë, karriera nuk është më një rrugë e drejtë dhe e pandryshueshme. Shumë profesionistë gjatë jetës së tyre përballen me momente kur ndihen të pasigurt, të lodhur ose të pashpirt në atë që bëjnë çdo ditë. Por si e kupton që nuk është thjesht një fazë kalimtare – por një shenjë që ndoshta ka ardhë koha me ndryshu karrierën?

Në këtë blog, do të analizojmë shenjat kryesore që tregojnë se ndoshta je në rrugën e gabuar profesionale dhe çka mund të bësh për ta gjetë drejtimin që të përshtatet më shumë ty.

1. Nuk ndihesh më i/e motivuar nga puna jote

Në fillim të karrierës, shumica prej nesh ndihen të gëzuar për çdo detyrë, sfidë apo projekt. Por nëse ndjen se çdo mëngjes të mungon motivimi për të filluar ditën, ose puna të duket vetëm si një detyrim për të paguar faturat – kjo është një shenjë e qartë.

Mungesa e motivimit afatgjatë shpesh tregon se puna nuk përputhet më me vlerat ose ambiciet e tua. Ndoshta ke arritur maksimumin në atë pozicion, ose ndoshta profesioni yt aktual nuk të ofron më kuptim personal. Në çdo rast, mos e injoro këtë ndjesi – ajo është një sinjal i rëndësishëm që diçka duhet të ndryshojë.

2. Nuk po zhvillohesh më profesionalisht

Nëse ke vite që je në të njëjtën pozitë, me të njëjtat përgjegjësi, pa mundësi për të mësuar diçka të re apo për të ecur përpara, është momenti për reflektim. Një karrierë e shëndetshme duhet të të sfidojë, të të shtyjë përpara dhe të të ndihmojë të rritesh profesionalisht.

Në momentin që puna jote bëhet monotone dhe e parashikueshme, ndoshta është koha të kërkosh një drejtim ku mund të zhvillosh aftësi të reja, të përfshihesh në projekte më domethënëse dhe të ndjesh përsëri emocionin e të mësuarit.

3. Ndihesh i stresuar dhe emocionalisht i lodhur

Jo çdo ditë në punë është e lehtë, por nëse ndihesh i/e rraskapitur vazhdimisht, pa energji dhe me një ndjenjë të përgjithshme pakënaqësie – kjo nuk është normale. Stresi kronik dhe lodhja emocionale shpesh janë pasojë e një mosbalancimi mes asaj që jep dhe asaj që merr nga puna jote.

Nëse puna jote po ndikon në shëndetin mendor, marrëdhëniet personale apo cilësinë e jetës, mos e injoro. Trupi dhe mendja jote po të thonë diçka: nuk je aty ku duhet.

4. Nuk ndihesh më i përfshirë me kulturën e kompanisë

Kultura e një vendi pune luan rol thelbësor në mënyrën si ndihesh çdo ditë. Nëse ndjen se vlerat e kompanisë nuk përputhen më me të tuat, ose nuk e gjen më veten në mënyrën si funksionon ekipi, ndoshta ke ndryshuar ti – ose ambienti nuk të përshtatet më.

Kur ndihesh i shkëputur nga kolegët apo qëllimet e organizatës, motivimi bie dhe puna humb kuptimin. Në atë pikë, mund të jetë më e shëndetshme të kërkosh një mjedis profesional që respekton vlerat dhe stilin tënd të punës.

5. E ndjen se ke potencial për më shumë

Një nga shenjat më të forta që duhet ta marrësh seriozisht është ndjenja e brendshme që mund të bësh diçka më të madhe. Ndoshta ke ide të reja, dëshira për të ndërtuar diçka vetë, apo për të ndikuar në një fushë tjetër – por puna aktuale nuk të lë hapësirë për t’i realizuar.

Nëse e ndjen shpesh se po humb kohën në diçka që nuk të përfaqëson më, atëherë është koha të investosh në zhvillimin e aftësive të reja dhe të eksplorosh një karrierë që i përket versionit të ardhshëm të vetes tënde.

6. Ke filluar të ëndërrosh për “diçka tjetër”

Nëse shpesh i kap vetes duke menduar për një profesion tjetër – p.sh. “si do të ishte të punoja në marketing, dizajn, apo menaxhim projektesh?” – kjo nuk është një rastësi. Kjo është mënyra e mendjes për të të treguar se nuk je më plotësisht i lidhur me atë që bën.

Kjo kuriozitet i brendshëm është shpesh nxitësi më i mirë për ndryshim. Në vend që ta shtypësh, pyete veten: “Çfarë më tërheq te ajo fushë? Cilat aftësi kam që mund t’i përdor aty?”

Ky reflektim mund të jetë hapi i parë drejt një karriere të re që të përmbush më shumë.

7. Ndihesh sikur po jeton “në autopilot”

Kur çdo ditë duket e njëjtë – ngrihesh, punon, kthehesh në shtëpi dhe e përsërit – pa ndonjë emocion apo qëllim të vërtetë, është e lehtë të humbasësh lidhjen me vetveten. Ky është momenti kur duhet të pyesësh:

“A është kjo ajo që dua të bëj për 5 apo 10 vitet e ardhshme?”

Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë nuk ke pse të vazhdosh në një rrugë që nuk të sjell as zhvillim, as kënaqësi. Karriera nuk është një vendim njëherë e përgjithmonë – ajo është një udhëtim që mund të ndryshojë sa herë të ndryshon edhe ti.

8. Po ndihesh konfuz për drejtimin tënd të ardhshëm

Nëse e di që diçka nuk shkon, por nuk je i sigurt se nga ta fillosh, mos e shih si dështim – por si fillim. Shumë njerëz ndihen konfuzë në këtë fazë: duan ndryshim, por nuk dinë se në cilën fushë do të përshtaten më shumë.

Në vend që të dorëzohesh, është momenti ideal për të reflektuar mbi pikat e tua të forta, interesat dhe vlerat personale.
Kupto se çdo përvojë që ke pasur deri tani – edhe në një punë që nuk të pëlqen më – është një mësim që të ndihmon të kuptosh çfarë nuk do. Dhe kjo është po aq e vlefshme sa të dish çfarë do.

Qysh me fillu ndryshimin e karrierës

Nëse po e ndien që ka ardhur koha për ndryshim, mos e bëj menjëherë me nxitim.
Fillimisht:

  1. Reflekto thellë – çfarë të mungon sot? Çfarë të motivon me të vërtetë?
  2. Bëj kërkim – cilat fusha tërheqin vëmendjen tënde? A ka mundësi zhvillimi në to?
  3. Investo në aftësi të reja – kur mëson një aftësi të re, hapet një botë e re mundësish.
  4. Kërko këshillim karriere – flit me profesionistë, mentorë ose merr pjesë në trajnime që ndihmojnë në orientim profesional.

Ndryshimi i karrierës nuk është shenjë e pasigurisë – është shenjë e vetëdijes. Është dëshmi se po e dëgjon veten, po kupton nevojat e tua dhe po kërkon një drejtim që të përmbush më shumë.

Nëse ndihesh konfuz për drejtimin tënd profesional dhe nuk je i sigurt se cila fushë të përshtatet më shumë – mos e lë me hamendje. Bëje këtë kuiz dhe zbulo se cila karrierë është më e përshtatshme për ty.